Rrëzimi i dronit të dytë saudit nga forcat jemenase
Zëdhënësi i forcave të armatosura të Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar të Jemenit njoftoi rrëzimin e dronit të dytë të forcave ajrore të Arabisë Saudite gjatë natës së kaluar.
Agjencia e lajmeve Sputnik të mërkurën njoftoi se Jahja Sari'e, zëdhënësi i forcave të armatosura të Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar të Jemenit, shkroi në llogarinë e tij në Twitter: "Sistemi i mbrojtjes ajrore të forcave tona kanë arritur të rrëzojnë një dron spiun të forcave ajrore të Arabisë Saudite në frontin kufitar përballë Naxhran të Arabisë Saudite. Ky dron ka shkelur armëpushimin dhe po kryente veprime agresive kundër Jemenit".
Sari'e shtoi: "Ky dron u rrëzua nga një raketë tokë-ajër".
Dje (e martë), forcat jemenase rrëzuan një dron spiun tjetër të forcave ajrore të Arabisë Saudite me një raketë tokë-ajër në Sanaa.
Ky është droni i katërt i Arabisë Saudite që rrëzohet nga forcat e Jemenit që nga vendosja e armëpushimit dy mujor më 2 prill.
Armëpushimi përfshin ndërprerjen e operacioneve tokësore, detare dhe ajrore dhe operacionet kufitare, mbërritjen e 18 cisternave në portet al-Hudaidah, rifillimin e fluturimeve nga aeroporti i Sanaa dhe mbajtjen e një takimi dypalësh për të rihapur rrugët në Taiz dhe provinca të tjera. .