Damasku: Sanksionet perëndimore kanë shtuar vuajtjet e popullit sirian
Përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në Kombet e Bashkuara deklaroi se vazhdimi i sanksioneve të shteteve perëndimore, ka intensifikuar vuajtjet e popullit sirian.
Në takimin e së hënës, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ra dakord unanimisht për zgjatjen e hapjes së pikës kufitare siriane Bab Al-Hava për 6 muaj për të dërguar ndihma humanitare në Siri përmes Turqisë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mirëpriti vendimin e Këshillit të Sigurimit për të miratuar zgjatjen e autorizimit të operacioneve humanitare ndërkufitare të OKB-së përmes pikës kufitare Bab al-Hava në Siri.
Agjencia siriane e lajmeve SANA njoftoi se Bassam Sabbagh në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën mbrëma, theksoi se mbështetja e projekteve fillestare të rimëkëmbjes është një shtyllë thelbësore në përmirësimin e situatës humanitare në Siri dhe uljen e varësisë nga ndihma humanitare.
Sabbagh shtoi se politizimi i vazhdueshëm i aktiviteteve humanitare nga Perëndimi dhe mungesa e vullnetit real për të arritur përparim në situatën humanitare dhe vendosja e vazhdueshme e sanksioneve të paligjshme shtrënguese, kanë intensifikuar vuajtjet e popullit sirian.
Përfaqësuesi i Sirisë theksoi gjithashtu rëndësinë e projekteve të energjisë së rinovueshme në fushën e energjisë elektrike dhe rritjen e pjesës së projekteve humanitare dhe nevojën për të mbështetur përpjekjet për ofrimin e shërbimeve bazë për të siguruar kthimin e refugjatëve në Siri.
Sabbagh tha se Siria ka bërë dhe vazhdon të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të ofruar shërbime bazë për qytetarët e saj dhe po punon me zell për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës, duke bashkëpunuar me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e saj humanitare për të siguruar që ndihma t'u ofrohet të gjithë sirianëve pa diskriminim.
Përfaqësuesi i Sirisë në Kombet e Bashkuara theksoi se efektet negative të sanksioneve të njëanshme në masat humanitare dhe përpjekjet e Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të saj në këtë fushë duhen vënë në dukje bazuar në Rezolutën 2642 dhe nevojën e zbatimit të detyrimeve të vendeve në lidhje me financimin e projekteve humanitare në Siri.