Operacioni i madh i Al-Hashd al-Shaabi në qendër të Irakut; zbulohen 10 vendstrehime të ISIS
Forcat e mobilizimit popullor "Al-Hashd al-Shaabi", në formën e disa brigadave ushtarake, filluan një operacion në shkallë të gjerë për zbulimin e vendstrehimeve të terroristëve të ISIS.
Në vitin 2017, pas tre vitesh luftime, Iraku shpalli fitoren kundër grupit terrorist ISIS, por elementët dhe bërthamat e shpërndara të këtij grupi terrorist janë ende aktive në disa zona të provincave Dijala, Kirkuk, Nineva, Salahudin, Anbar dhe Bagdad.
Agjencia e lajmeve Al Sumaria News njoftoi se forcat e brigadave 57 dhe 63 të Al-Hashd al-Shaabi të Irakut filluan një operacion në shkallë të gjerë në zonën Tuz Khormatu të provincës Salahudin (Iraku Verior) dhe deri më tani kanë arritur të zbulojnë 10 vendstrehime të terroristëve të ISIS.
Sipas raportit të mediave irakiane, forcat e Al-Hashd al-Shaabi zbuluan dhe sekuestruan sasi të lëndëve shpërthyese, mjete logjistike dhe mjekësore që u përkisnin terroristëve të ISIS-it në këto vendstrehime.
Në këtë drejtim, ditët e fundit, procesi i spastrimit të territoreve irakiane nga terroristët e ISIS-it ka vazhduar edhe në zonën e "Xharf al-Nasr" (ish-Xharf al-Sakhr) në provincën Babel në qendër të Irakut.
Faleh al-Fajad, shefi i Organizatës së Mobilizimit Popullor "Al-Hashd al-Shaabi" të Irakut të shtunën e kaluar në një ceremoni në provincën Nineva (në veriperëndim të Irakut), deklaroi se falë operacioneve të forcave irakiane, terroristët e ISIS nuk kanë më aftësitë e mëparshme dhe numri i terroristëve llogaritet në 700. Kjo shifër nënkupton rënien e grupit terrorist ISIS.
Duhet të theksohet se forcat e sigurisë dhe Al-Hashd al-Shaabi të Irakut vazhdojnë të kërkojnë, spastrojnë dhe ndjekin mbetjet e ISIS në të gjithë vendin për të siguruar që ISIS dhe elementët e tij të arratisur të mos rishfaqen më në këtë vend.