Miliona myslimanë mblidhen në Qerbela në Ditën e Arbainit
Miliona myslimanë nga e gjithë bota kanë shkuar në pelegrinazhin e Arbainit drejt Qerbelasë së Irakut, për të marrë pjesë në ceremoninë e zisë së nipit të Profetit Muhamed (s.a.v.s).
Miliona besimtarë morën pjesë në ceremonitë e zisë të mërkurën me rastin e Arbainit, që shënon fundin e një periudhe zie 40-ditore për martirizimin e Imam Huseinit (a.s) dhe 72 shokëve të tij në betejën e Qerbelasë në Irakun jugor në vitin 680 pas Krishtit. Sipas vlerësimeve të hershme, më shumë se 30 milionë njerëz, përfshirë iranianë, kanë marrë pjesë në këtë ceremoni madhështore në Irak. Udhëtimi në këmbë fillon disa ditë para Arbainit ndërsa besimtarët marrin rrugë të ndryshme drejt faltoreve të shenjta në Qerbela. Një nga rrugët kryesore është një rrugë 80 km e gjatë midis qyteteve të shenjta të Irakut, Naxhaf dhe Qerbela. Pelegrinët gjatë ngjarjes vjetore bëjnë homazhe dhe rinovojnë besnikërinë e tyre ndaj Imam Huseinit (a.s), simbolit të të gjitha kohërave të luftës kundër padrejtësisë, shtypjes dhe despotizmit. Në një bisedë telefonike me homologun e tij irakian Fuad Hussein të martën, ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian shprehu mirënjohjen e tij për qeverinë dhe kombin irakian për mikpritjen e tyre të ngrohtë gjatë ceremonisë së Arbainit. Duke u ndalur në rëndësinë e këtij rasti, Amir-Abdollahian tha se organizimi i duhur nga Iraku i marshimit madhështor të Arbainit është tregues i fuqisë dhe stabilitetit në vendin mik dhe vëlla të Irakut.