Tetor 06, 2023 20:54 Europe/Tirane
  • Kryhet ceremonia e varrimit të ushtarëve të ushtrisë siriane

Trupat e dëshmorëve të sulmit terrorist në Siri u varrosën mëngjesin e kësaj të premteje para spitalit ushtarak të Homsit në prani të gjeneralit Ali Abbas, ministrit të Mbrojtjes dhe disa zyrtarëve të tjerë të qeverisë së Damaskut.

Gjatë ceremonisë mortore, teksa dënoi tradhtinë e disa personave nga brenda vendit të cilët veprojnë në bashkëpunim me forcat e huaja, ai u tha gazetarëve: Vendi ynë po paguan një çmim të rëndë për pavarësinë, sovranitetin dhe nderin e tij. Zoti i mëshiroftë dhe i faltë dëshmorët tanë. Ministria e Shëndetësisë e Sirisë njoftoi mëngjesin e sotëm se numri i dëshmorëve të sulmit terrorist me dron të enjten në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit Ushtarak të Homsit është rritur në 112 dëshmorë, mes të cilëve 31 gra dhe 5 fëmijë, ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 277. Ministria e Jashtme siriane publikoi ​​një deklaratë ku dënon ashpër këtë krim të grupeve terroriste në Homs dhe duke e cilësuar këtë akt të terroristëve si një akt frikacak, kërkoi dënimin e vendeve që mbështesin terrorizmin. Në një deklaratë, qeveria e Damaskut u kërkoi gjithashtu Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit të dënojnë sulmin e grupeve terroriste ndaj kolegjit ushtarak sirian në Homs.

 

Tags