Izraeli po përdor urinë si armë lufte në Gaza
Ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez Riad Maliki tha se Izraeli ka përdorur urinë si një armë lufte kundër njerëzve në Rripin e rrethuar të Gazës.
“Ndërsa po flasim tani, 2.3 milionë palestinezë në Gaza po i nënshtrohen masakrës dhe privimit, duke u bërë viktima të sëmundjeve, pandemisë, urisë dhe etjes”.
Maliki po i drejtohej të hënën një paneli vjetor të nivelit të lartë mbi të drejtat e njeriut në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.
Ai tha se regjimi izraelit ka shkelur ligjin ndërkombëtar me agresionin e tij kundër popullit tonë në Rripin e Gazës, me luftën e tij gjenocidale dhe krimet e tij kundër të drejtave të patjetërsueshme të popullit palestinez.
Diplomati palestinez tha se Izraeli ka kryer gjenocid dhe krime kundër të drejtave të patjetërsueshme të popullit palestinez gjatë sulmeve të tij të egra pothuajse pesë muajshe në Gaza.
Deklaratat e tij erdhën pasi kreu i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha se uria po godet Gazën.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNWRA, Philippe Lazzarini, në një mesazh në mediat sociale të dielën paralajmëroi për urinë akute, duke thënë se ndihma humanitare nuk ka arritur tek njerëzit në Gazën veriore për më shumë se një muaj.
Hera e fundit që UNRWA ishte në gjendje të dërgonte ndihma ushqimore në Gazën veriore ishte më 23 janar.
Ai tha se thirrjet e agjencive të ndihmës për të lejuar shpërndarjen e ushqimit në Gaza "kanë rënë në vesh të shurdhër".