Rusia paralajmëron për spastrim etnik kundër palestinezëve
(last modified Sun, 03 Mar 2024 18:49:04 GMT )
Mars 03, 2024 19:49 Europe/Tirane
  • Rusia paralajmëron për spastrim etnik kundër palestinezëve

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka paralajmëruar se plani i Izraelit për të nisur një sulm tokësor kundër qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës mund të çojë në spastrim etnik të palestinezëve.

Duke folur në një konferencë shtypi në Antalia, Lavrov shprehu shqetësimin e Moskës për planet izraelite për të kryer një ofensivë ushtarake në Rafah, ku dy të tretat e palestinezëve në Gaza po kërkojnë strehim nga lufta.

"Nëse operacioni i Rafahut fillon, një numër i madh refugjatësh do të largohen për në Egjipt dhe egjiptianët kanë deklaruar vazhdimisht se kjo është e papranueshme. Ky do të jetë në fakt një spastrim etnik," tha ai.

“Një tragjedi e vërtetë po ndodh në Gaza, së cilës nuk i duket fundi”, shtoi ai.

Kryediplomati rus theksoi se pavarësisht nga shumë iniciativa për një armëpushim dhe pauzë humanitare në Rripin e Gazës, autoritetet izraelite nuk e kanë ndryshuar qëllimin e tyre për "pastrimin e plotë të Gazës dhe eliminimin e Hamasit".

"Edhe përfaqësuesit perëndimorë pyesin se si mund të jetë i mundur eliminimi 100 për qind i lëvizjes së rezistencës palestineze Hamas", vuri në dukje ai.

Lavrov tha se Izraeli pretendon se të gjithë në Gaza janë Hamas dhe për këtë arsye është e nevojshme të zhduken të gjithë banorët e këtij rajoni.

"Kjo është plotësisht në kundërshtim me të gjitha vendimet e OKB-së, është në kundërshtim me logjikën e shëndoshë, është në kundërshtim me drejtësinë. Kjo do të thotë se palestinezët mund të dëbohen nga tokat ku kanë jetuar paraardhësit e tyre dhe të gjitha të drejtat e tyre të përçmohen", theksoi Lavrov.

Rafah, një qytet përgjatë kufirit egjiptian, i cili dikur ishte shpallur një "zonë e sigurt" nga ushtria izraelite, tani është bërë streha e fundit për mbi gjysmën e të gjithë popullsisë së Gazës prej më shumë se 2.3 milionë banorësh, të cilët kanë ikur nga shtëpitë e tyre në pjesë të tjera të territorit.

Egjipti tashmë ka kërcënuar se do të pezullojë traktatin e tij të paqes me Izraelin nëse regjimi izraelit dërgon trupat e tij në Rafah.

 

Tags