Izraeli vret 3 djemtë e kreut të Hamasit
Tre djemtë e Ismail Haniyeh, shefit të byrosë politike të lëvizjes së rezistencës palestineze Hamas, janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një kamp refugjatësh në pjesën veriore të Rripit të Gazës.
Mediat lokale i identifikuan djemtë si Hazem, Amir dhe Muhamed.
Nipërit e mbesat e Haniyeh u vranë gjithashtu në sulmin që synoi një automjet në kampin e refugjatëve al-Shati të mërkurën pasdite.
Nuk ka pasur komente të menjëhershme nga ushtria izraelite.Vdekjet e fundit u konfirmuan nga stacioni televiziv al-Aksa i lidhur me Hamasin, si dhe nga anëtarët e familjes Haniyeh në mediat sociale.
“Falënderoj Allahun për këtë nder që na bëri me martirizimin e tre djemve dhe nipërve të mi. Me këtë dhimbje dhe gjak, ne krijojmë shpresë, një të ardhme dhe liri për popullin tonë, kauzën tonë dhe kombin tonë”, tha Haniyeh në një deklaratë.
“Djemtë e mi martirë arritën nderin e kohës, nderin e vendit dhe nderin e përfundimit. Fëmijët e mi qëndruan me njerëzit tanë në Rripin e Gazës dhe nuk u larguan nga Gaza”.
Haniyeh tha se familjet palestineze në Gaza kanë paguar një çmim të rëndë me gjakun e fëmijëve dhe të dashurve të tyre dhe se ai ka humbur gati 60 anëtarë të familjes së tij gjatë muajve të fundit të agresionit të Izraelit.
“Okupatori beson se duke vënë në shënjestër djemtë e liderëve, do të thyejë vendosmërinë e popullit tonë. Ne i themi pushtuesit se ky gjak vetëm do të na bëjë më të palëkundur në parimet tona dhe aderimin në tokën tonë”.
“Armiku nuk do të ketë sukses në qëllimet e tij dhe kështjellat e rezistencës nuk do të bien. Ajo që armiku nuk mundi të arrijë përmes vrasjeve, shkatërrimit dhe gjenocidit, nuk mund të arrihet gjatë negociatave”, tha Haniyeh.
Ai tha se regjimi sionist është deluzional nëse mendon se do t'i bëjë palestinezët të ndryshojnë qëndrimin e tyre duke vrarë djemtë e tyre.