Izraeli bombardoi 16 shkolla në Gaza brenda një muaji
Një grup i të drejtave të njeriut deklaroi se ka dokumentuar një përshkallëzim të rrezikshëm në politikën sistematike të Izraelit për të shënjestruar shkollat që janë kthyer në strehimore për civilët e zhvendosur në të gjithë Rripin e Gazës.
Sipas një deklarate të Monitorit Euro-Mesdhetar të të Drejtave të Njeriut, që nga fillimi i gushtit, Izraeli ka bombarduar 16 shkolla të përdorura si strehimore në Rripin e Gazës, duke vrarë 217 palestinezë dhe duke plagosur qindra të tjerë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë.
Ushtria izraelite gjithashtu ka përshkallëzuar shënjestrimin e civilëve gjatë javës së kaluar në zonën e Gazës dhe Gazës Veriore duke bombarduar shtëpitë e banimit, vendtubimet dhe stendat tregtare, si dhe qendrat e strehimit dhe rrethinat e tyre, thuhet në deklaratë.
"Sulmimi dhe shkatërrimi i shkollave që strehojnë të zhvendosurit nuk ka asnjë justifikim legjitim dhe përbën një shkelje të hapur të parimeve humanitare në kohë lufte," tha Monitori Euro-Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut.
“Këto sulme janë pjesë e zbatimit të gjenocidit aktual në Gaza dhe synojnë të shpopullojnë tokën palestineze duke vrarë dhe zhvendosur me forcë sa më shumë palestinezë të jetë e mundur”, shtoi deklarata.
Më tej në deklaratë, organizata me bazë në Gjenevë tha se bashkëfajësia e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj e kishte inkurajuar Izraelin të vazhdonte fushatën e tij gjenocidale disamujore në Gaza.
Ndërkohë, Ministria palestineze e Shëndetësisë deklaroi të dielën se numri i palestinezëve të vrarë në sulmin izraelit në Gaza që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar tani është afër 41,000, kryesisht gra dhe fëmijë.