Fillimi i sulmit tokësor të regjimit sionist në Liban
Ushtria izraelite njoftoi të martën në mëngjes se ka nisur një operacion ushtarak të përqendruar tokësor në jug të Libanit.
Sipas agjencisë së lajmeve Isna, ushtria izraelite ka hyrë në Liban në mënyrë të kufizuar dhe me mbështetje ajrore dhe artilerie nga kufijtë jugorë të vendit, duke kaluar kufirin e përbashkët.
Sipas njoftimit të ushtrisë sioniste, ky operacion tokësor kundër objektivave të Hezbollahut shoqërohet me mbështetje ajrore dhe artilerie dhe do të jetë i kufizuar.
Në një deklaratë të publikuar në lidhje me këtë, thuhet: "Bazuar në vendimin e klasës politike, ushtria izraelite ka nisur një operacion tokësor të synuar dhe të kufizuar në Libanin jugor kundër objektivave dhe infrastrukturës së Hezbollahut libanez në një sërë fshatrash afër kufirit libanez."
Ky sulm tokësor izraelit është duke u kryer vetëm disa ditë pasi Sejed Hasan Nasrallah, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut të Libanit, u shënjestrua me anë të një sulmi ajror izraelit në periferi të Bejrutit.
Gjithashtu, gjatë javës së fundit, avionët luftarakë izraelitë kryen sulme të gjera kundër Libanit jugor dhe rajonit Dahiya (periferia jugore e Bejrutit).
Rreth 1000 njerëz u vranë dhe disa mijëra të tjerë u plagosën në sulmet izraelite në Liban gjatë javës së fundit.
Shejkh Naim Kasem, Zv/Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut të Libanit, paralajmëroi dje për sulmin tokësor të Izraelit në vend dhe tha se forcat e Hezbollahut janë të gatshme për t'iu kundërvënë sulmit tokësor të Izraelit.