Guterres: Situata në Gaza është e tmerrshme dhe katastrofike
(last modified Wed, 04 Dec 2024 09:22:27 GMT )
Dhjetor 04, 2024 10:22 Europe/Tirane
  • Guterres: Situata në Gaza është e tmerrshme dhe katastrofike

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përmes një deklarate theksoi se "kushtet me të cilat po përballen palestinezët aktualisht në Rripin e Gazës, me siguri arrijnë në nivelin e krimeve më të rrezikshme ndërkombëtare" dhe se "situata atje është e tmerrshme dhe katastrofike".

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, cituar nga rrjeti televiziv Al-Jazeera, Guterres tha se "aktualisht kequshqyerja është përhapur në Gaza, uria është në prag të shfaqjes" dhe se "ndërkohë jemi dëshmitarë të kolapsit të sistemit shëndetësor".

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së deklaroi se Gaza ka numrin më të madh të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të amputuar në botë përsa i përket numrit të popullsisë.

Gjithashtu, ai vuri në dukje gjendjen e palestinezëve të plagosur dhe tha se aktualisht të plagosurit në Rripin e Gazës janë duke iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale pa anestezi.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më herët, në një mesazh me rastin e 29 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez, ka shkruar: "Asgjë nuk e justifikon ndëshkimin kolektiv të palestinezëve; ne kërkojmë t'i jepet fund pushtimit të paligjshëm të tokës palestineze."

Gjithashtu, zëdhënësi i Organizatës për Ndihmë dhe Shpëtim në Rripin e Gazës tha në një deklaratë se 60 mijë palestinezë që jetojnë në zonat veriore të Rripit të Gazës janë në rrezik vdekjeje.

Mahmoud Basal shtoi: "Prej 60 ditësh, banorët e veriut të Rripit të Gazës nuk kanë marrë ushqim të mirë dhe ujë të pijshëm higjienik."

Ai shtoi: "Situata në Beit Lahia dhe në zonat e tjera veriore është katastrofike dhe ne nuk kemi mundësi të ofrojmë shërbime sanitare, shëndetësore dhe emergjente për banorët e këtyre zonave."

Basal theksoi: "Pushtuesit po kryejnë gjenocid ndaj banorëve të pjesës veriore të Rripit të Gazës dhe shtëpitë në këtë zonë janë të pabanueshme."