Rusia tërhiqet nga bazat e saj në Siri
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i165746-rusia_tërhiqet_nga_bazat_e_saj_në_siri
Burime të lajmeve raportuan për tërheqjen e forcave ruse nga bazat ushtarake në Siri.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Dhjetor 14, 2024 10:30 Europe/Tirane
  • Rusia tërhiqet nga bazat e saj në Siri

Burime të lajmeve raportuan për tërheqjen e forcave ruse nga bazat ushtarake në Siri.

Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, gazetari i rrjetit televiziv Al-Mayadeen raportoi se forcat ruse u tërhoqën nga bazat ushtarake në Siri dhe u përqëndruan në dy baza në bregdet.

Gjithashtu, agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar burime diplomatike, raportoi: "Rusia është duke negociuar me autoritetet e reja siriane për të ruajtur bazat e saj në Tartus dhe Hmeimim."

Sipas rrjetit Euronews, Rusia ka dy baza kryesore ushtarake në Siri: bazën detare Tartus në bregdetin e Mesdheut dhe bazën ajrore Hmeimim pranë portit të Latakias. Këto baza janë ndër pikat më të rëndësishme ushtarake strategjike të Rusisë.

Baza e Tartusit është veçanërisht jetike për Rusinë, pasi ajo siguron aksesin e vetëm të drejtpërdrejt të këtij vendi në Detin Mesdhe, duke e lejuar atë të kryejë stërvitje detare, të vendosë anije luftarake, madje edhe të presë nëndetëse bërthamore.

Por rebelët sirianë kanë marrë tashmë kontrollin e plotë të provincës Latakia, ku ndodhen të dyja bazat.

Shërbimi Informativ Ushtarak i Ukrainës ka bërë të ditur se rusët po evakuojnë forcat, armët dhe pajisjet e tyre nga këto baza duke përdorur avionë ushtarakë.

Pamjet satelitore nga baza e Tartusit tregojnë se të paktën tri anije luftarake ruse janë larguar nga porti dhe janë ankoruar rreth 13 kilometra larg bregut.

Humbja e pranisë ushtarake në Siri do të jetë një goditje e madhe për Rusinë. Gjeografikisht dhe strategjikisht, këto baza janë një pikë jetike për transferimin e pajisjeve ushtarake në vendet afrikane ku operon Rusia.

Humbja e këtyre bazave mund të dobësojë operacionet e Rusisë në Libi dhe në Afrikën Sub-Sahariane.