Shkëndijat e para të protestave kundër al-Xholanit
Burimet e lajmeve raportuan se rrëmbimi i një numri qytetarësh sirianë në provincën Alepo ndezi shkëndijat e para të protestës kundër Mohammed al-Xholanit, komandantit të grupit të armatosur opozitar "Hay'at Tahrir al-Sham".
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar mediat e lidhura me opozitën siriane, një numër i madh i banorëve të qytetit sirian Alepo janë mbledhur në sheshin "Saadullah Al-Xhabiri" për të protestuar kundër rrëmbimit të qytetarëve të këtij vendi nga grupi opozitar "Hay'at Tahrir al-Sham".
Pas kësaj proteste, forcat e "Hay'at Tahrir al-Sham" rrëmbyen një numër grash të cilat kërkuan lirimin e bashkëshortëve dhe familjarëve të tyre nga burgjet e al-Xholanit.
Familjet e grave të rrëmbyera në provincën e Alepos rrokën armët dhe dolën në rrugë duke kërkuar lirimin e tyre. Këta persona i dhanë al-Xholanit disa orë afat për të liruar gratë e rrëmbyera nga forcat e grupit "Hay'at Tahrir al-Sham".
Disa media raportojnë edhe për konflikt mes këtyre personave dhe forcave të grupit "Hay'at Tahrir al-Sham".
Familjet e grave të rrëmbyera kërkuan gjithashtu praninë e një përfaqësuesi nga Al-Xholani për të negociuar dhe dëgjuar protestat e tyre.
Opozitarët e armatosur në Siri që nga 27 nëntori 2024, me qëllim të largimit të Bashar Asadit nga pushteti, filluan operacionet e tyre në zonat veriperëndimore, perëndimore dhe jugperëndimore të Alepos dhe, më në fund, pas njëmbëdhjetë ditësh, të dielën, më 8 dhjetor, ata shpallën kontrollin e tyre mbi qytetin e Damaskut dhe largimin e Asadit nga vendi.
Lidhur me këtë, Mohammed al-Bashir, i cili ishte emëruar në krye të qeverisë së periudhës tranzitore të Sirisë, të hënën, më 9 dhjetor, mori zyrtarisht kryesimin e qeverisë tranzitore të këtij vendi deri në marsin e ardhshëm.