Teksti i marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet regjimit izraelit dhe Hamasit
Marrëveshja e së mërkurës mbrëma midis regjimit izraelit dhe Hamasit për një armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve përfshin tre faza që synojnë përfundimin e luftës në Gaza.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar agjencinë palestineze të lajmeve "Ma'an", marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e Katarit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Egjiptit.
Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kryeministër i Katarit, tha: "Kjo marrëveshje do të zbatohet nga dita e dielë, më 19 janar. Në fazën e parë, e cila do të zgjasë 42 ditë, 33 pengje izraelite, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, do të shkëmbehen me 1000 të burgosur palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm e dënime të larta dhe me të gjitha gratë dhe fëmijët nën moshën 19 vjeç të cilët mbahen në burgjet e regjimit sionist.
Forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga vendkalimi Netzarim dhe aksi Filadelfia, refugjatët palestinezë do të lejohen të fillojnë të kthehen në shtëpitë e tyre dhe qindra kamionë që transportojnë ndihma do të lejohen të hyjnë në Gaza çdo ditë.
Negociatat për fazën e dytë - e cila duhet të përfshijë lirimin e pengjeve të mbetura, një tërheqje të plotë të forcave izraelite dhe "paqe të qëndrueshme" - do të fillojnë në ditën e 16-të të armëpushimit.
Faza e dytë dhe e tretë përfshin lirimin e 66 pengjeve të tjerë, të mbajtur nga forcat e Rezistencës.
Në ditën e shtatë pas tërheqjes së forcave izraelite nga rruga al-Rashid drejt Netsarimit, refugjatët do të lëvizin nga jugu i Gazës në drejtim të veriut pa u inspektuar dhe banorët e Gazës do të kenë lirinë të lëvizin përgjatë rrugës al-Rashid nga veriu në jug dhe anasjelltas.
Në ditën e 22-të, Izraeli do të tërhiqet plotësisht nga aksi Netsarim deri në lindje të rrugës Salahuddin.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Izraeli u zotua të shkatërrojë plotësisht bazat dhe instalimet e veta ushtarake në këtë zonë. Që nga dita e parë do të lejohen ndihmat humanitare (600 kamionë në ditë, duke përfshirë 50 kamionë me karburant, 300 prej të cilëve i përkasin veriut të Rripit të Gazës).
Kjo përfshin karburantin e nevojshëm për vënien në funksion të termocentralit, pajisjet komerciale dhe ndërtimore të nevojshme për heqjen e gërmadhave dhe rindërtimin dhe vënien në funksion të spitalit.
Izraeli u zotua të mos arrestojë përsëri palestinezët e liruar me të njëjtat akuza dhe se nuk do të përpiqet të kthejë të burgosurit palestinezë të liruar për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të tyre. Gjithashtu u ra dakord që palestinezëve të liruar nuk do t'u kërkohet të nënshkruajnë asnjë dokument si kusht për lirimin e tyre.
Marrëveshja parashikon që Katari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Egjipti do të bëjnë të pamundurën për të siguruar që negociatat indirekte të vazhdojnë derisa të dy palët të bien dakord për kushtet e zbatimit të fazës së dytë.
Një numër i banorëve të Gazës dolën në rrugë mbrëmjen e së mërkurës për të festuar shpalljen e marrëveshjes për vendosjen e armëpushimit në këtë Rrip.