Hamasi anulon lirimin e pengjeve
Hamasi ka njoftuar se lirimi i ardhshëm i pengjeve, i planifikuar të ndodhë në Gaza të shtunën, do të shtyhet, duke akuzuar Izraelin për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit.
Në një postim në rrjetin social X, Abu Obeida, zëdhënësi i Brigadave Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, tha se dorëzimi i të burgosurve “që ishin planifikuar të liroheshin të shtunën e ardhshme… do të shtyhet deri në një njoftim të dytë dhe derisa okupatori të përmbushë dhe të kompensojë të drejtat e javëve të kaluara.”
Ai shtoi: “Ne konfirmojmë përkushtimin tonë ndaj kushteve të marrëveshjes për aq kohë sa okupatori u përmbahet atyre.”
Hamas liroi tre pengje të shtunën në shkëmbimin e katërt të pengjeve që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 19 janar.
Në këmbim, Izraeli liroi 183 të burgosur palestinezë, nga të cilët 18 po vuanin dënime me burgim të përjetshëm. Shumica ishin arrestuar në Gaza që nga 7 tetori dhe nuk kishin akuza publike kundër tyre.
Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në Katar muajin e kaluar, negociatat për fillimin e një faze të dytë supozohej të nisnin të hënën.
Më herët të hënën, Zyra e Mediave e Qeverisë së Gazës e drejtuar nga Hamasi tha se Izraeli kishte refuzuar të lejonte hyrjen e furnizimeve të strehimit të specifikuara në marrëveshjen e armëpushimit.