Vriten disa persona gjatë grushtit të shtetit në Turqi
Deri tani shënohen 60 të vdekur gjatë përleshjeve të mbrëmjes duke u gdhirë e shtuna 16 korrik 2016. Shumë prej tyre janë civilë dhe 745 ushtarë janë arrestuar, bëjnë të ditur burimet lokale në Turqi.
Kryeministri turk Binali Yildirim tha se tashmë pjesa më e madhe është nën kontroll dhe ka urdhëruar ushtarët të qëllojnë për të rrëzuar avionët që janë përdorur nga komplotistët e grushtit të shtetit. Presidenti Rexhep Taip Erdogan ka udhëtuar drejt Stambollit pasi një grup ushtarak deklaroi se kishte marrë pushtetin. Ai është parë i rrethuar nga mbështetës duke thënë live në TV se tentativa për grusht shteti ishte një “tradhëti” dhe ushtria duhet të pastrohet. Autoritetet kanë shpallur se në mesin e të vrarëve gjatë trazirave në Turqi, janë edhe së paku 16 pjesëmarrës të grusht shtetit, ndërsa deri tani janë arrestuar 754 pjesëtarë të forcave të armatosura. Një zyrtar është cituar duke thënë se 5 gjeneralë dhe 29 kolonelë janë shkarkuar nga postet e tyre ushtarake. Transmetuesit në Turqi kanë raportuar se gjenerali, Hulusi Akar, që ishte shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Turqisë, është çliruar nga një mision shpëtimi me helikopter. Ministri i brendshëm dhe ai i mbrojtjes i qeverisë së presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, u kanë bërë thirrje anëtarëve të shërbimeve të armatosura që të mbesin besnikë ndaj qeverisë dhe të luftojnë kundër asaj, që ata e kanë përshkruar si grup “pakicë”, që kishte bërë përpjekje për grusht shtet. Luftimet u përshkallëzuan pasi ushtria e Turqisë mbrëmë vonë tha se e ka “kontrollin e plotë” për udhëheqjen e shtetit, me qëllim që të mbrohet rendi demokratik dhe të ruhen të drejtat e njeriut. Televizioni shtetëror, pak kohë pas kësaj deklarate, raportoi se ushtria kishte shpallur sundim të ligjit ushtarak dhe orë policore.