Turqia vazhdon sulmet ajrore në Siri
Nga sulmet ajrore të Turqisë pjesën veriore të Sirisë janë vrarë 20 terroristë të ISIS.
Në kumtesën e zyrës së shefit të Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Turqisë, theksohet se avionët luftarakë turq i kanë sulmuar tri ndërtesa, që besohet se u takojnë terroristëve të ISIS si dhe një makinë e një motoçikletë. Derisa aeroplanët luftarakë të Turqisë i marrin në shënjestër pozicionet e ISIS-it në Siri, atje vazhdojnë edhe përleshjet ndërmjet forcave turke dhe atyre kurde. Ndërkohë, në një deklaratë, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është shprehur se Turqia e ka për detyrë të mposhtë ISIS-in. Erdogan u shpreh se misioni aktual i ushtrisë turke në Siri, është vetëm hapi i parë i luftës ndaj ISIS. Sipas presidentit, Turqia është e vendosur të mposhtë edhe Partinë e Punës së Kurdistanit dhe grupet e mbështetura nga kleriku Fethullah Gulen, të cilin ai e akuzon si organizator të grushtit të dështuar të shtetit në korrik.