Armëpushim i paqëndrueshëm në Siri
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i28096-armëpushim_i_paqëndrueshëm_në_siri
Megjithëse kanë kaluar pesë ditë nga marrëveshja SHBA-Rusi për armëpushimin në Siri, nga pikëpamja e funksionarëve rusë, Amerika nuk ka treguar seriozitet në zbatimin e angazhimeve të saj, kushtet për dërgimin e ndihmave humanitare nuk janë përmbushur dhe armëpushimi është shkelur në shumë raste dhe luftime të ashpra janë zhvilluar në provincat Damask, Kunejtra dhe Dara.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Shtator 17, 2016 03:20 Europe/Tirane
  • Armëpushim i paqëndrueshëm në Siri

Megjithëse kanë kaluar pesë ditë nga marrëveshja SHBA-Rusi për armëpushimin në Siri, nga pikëpamja e funksionarëve rusë, Amerika nuk ka treguar seriozitet në zbatimin e angazhimeve të saj, kushtet për dërgimin e ndihmave humanitare nuk janë përmbushur dhe armëpushimi është shkelur në shumë raste dhe luftime të ashpra janë zhvilluar në provincat Damask, Kunejtra dhe Dara.

Më 12 Shtator, SHBA dhe Rusia arritën një marrëveshje për vendosjen e armëpushimit në Siri, por me kalimin e 5 ditëve nga kjo marrëveshje është bërë e qartë se armëpushimi në Siri është i paqëndrueshëm. SHBA u angazhua të kontrollojë grupet opozitare që i përkrah, por deri tani nuk ka mundur t'i kontrollojë ato dhe kjo ka shkaktuar irritimin e funksionarëve rusë. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në një bisedë telefonike me sekretarin e DASH, John Kerry, e këshilloi këtë të fundit që sa më shpejt të zbatojë angazhimin e palës amerikane për ndarjen e grupeve opozitare të përkrahura nga Amerika nga grupet terroriste në Siri. Në këtë bisedë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, porositi homologun e tij rus, Sergei Lavrov, se Uashingtoni nuk do të nisë fushatë të përbashkët të sulmeve kundër grupit  terrorist ISIS në Siri, derisa ndihmat humanitare të mos arrijnë banorët e rrethuar në Alepo. Kerry ka biseduar me Lavrovin përmes telefonit dhe ka thënë se SHBA pret që Moska të ushtrojë ndikimin e saj mbi presidentin sirian, Bashar Asad, “për të lejuar kamionët e OKB-së me ndihma humanitare që të arrijnë në Alepo dhe zona të tjera ku ka nevojë”. Pra edhe në këtë rast Uashingtoni po akuzon qeverinë siriane për bllokimin e ndihmave në një kohë që zona midis Alepos dhe kufirit turk nuk kontrollohet nga forcat qeveritare siriane, por nga grupet e ashtuquajtura ''të moderuara'' që kontrollohen nga Amerika dhe aleatët e saj. Duke reaguar ndaj këtij qëndrimi të SHBA, ministri i Jashtëm i Rusisë kërkoi publikimin e tekstit të marrëveshjes Uashington-Moskë në lidhje me Sirinë. Sergej Lavrov deklaroi se nëse Uashingtoni ka mëdyshje në publikimin e kësaj marrëveshjeje, Moska është e gatshme t'a publikojë atë, sepse Rusia nuk dëshiron të ecë në rrugën e diplomacisë së fshehtë. Shefi i diplomacisë ruse tha se në marrëveshjen SHBA-Rusi theksohet se prioritet është lufta kundër terrorizmit dhe ndarja e grupeve opozitare siriane nga grupet terroriste. Lavrov i kërkoi Amerikës të ushtrojë presion ndaj të ashtuquajturës opozitë ''e moderuar'' siriane që të ndahet nga grupet terroriste si ISIS dhe Al Nusra dhe të ndjekë rrugën politike për arritjen e qëllimeve të saj. Kjo sjellje e SHBA tregon se Uashingtoni, ashtu siç veproi edhe në armëpushimin e vendosur në dimrin e kaluar në Siri,  po përpiqet t'a shfrytëzojë marrëveshjen e armëpushimit për riorganizimin dhe fuqizimin e forcave opozitare që luftojnë kundër qeverisë siriane. Ky qëndrim i Uashingtonit dëshmon qartë se edhe një herë Rusia është mashtrua nga Amerika në marrëveshjen e armëpushimit. Një pikë e rëndësishme e marrëveshjes SHBA-Rusi është krijimi i kushteve për dërgimin e ndihmave humanitare sidomos për 250 mijë civilët e rrethuar në Alepo, por aktualisht këto ndihma janë bllokuar në kufirin turk. Armëpushimi i paqëndrueshëm në Siri është rezultat i papërgjegjshmërisë së SHBA ndaj krizës humanitare në Siri, sepse për Uashingtonin ka më shumë rëndësi arritja e qëllimeve gjeopolitike, sesa zgjidhja paqësore e krizës siriane.