Vazhdojnë krimet e Arabisë Saudite në Jemen
Krimet e Arabisë Saudite në Jemen dhe vrasja e civilëve në këtë vend po vazhdon akoma.
Agresorët sauditë kanë bombarduar vendbanimin civil Xhabale në provincën Eb të Jemenit ku sipas raporteve të para shtatë civilë janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur. Për shkak se disa prej të plagosurve janë në gjendje shumë kritike dhe mbetjes së njerëzve nën gërmadha, ekziston mundësia që numri i viktimave të këtyre sulmeve të shtohet edhe më shumë. Avionët luftarakë të Arabisë Saudite që nga e shtuna disa herë kanë sulmuar rajone të ndryshme të provincës Eb. Avionët luftarakë sauditë gjithashtu kanë bombarduar edhe disa rajone në qytetin Sirvah në provincën Meareb, si dhe kanë bombarduar bazën ushtarake "Al-Dejlemi". Nga ana tjetër, ushtria dhe forcat e rezistencës popullore të Jemenit në përgjigjeje ndaj krimeve të regjimit Al Saud, kanë asgjësuar sulmet e forcave mercenare saudite që tentonin të avancojnë në qytetin Al-Matun në provincën Xhuf. Gjatë sulmit të forcave jemenase në bazën ushtarake "Ined" në provincën Lahaxh është vrarë Abdusalam Subejhi, komandanti i forcave mercenare saudite në këtë rajon.