Arabia Saudite vazhdon të shtrëngojë rripin
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i29230-arabia_saudite_vazhdon_të_shtrëngojë_rripin
Arabia Saudite ka publikuar masa të reja të kursimit duke ndalur disa shpërblime publike dhe duke shkurtuar pagat e ministrave në kuadër të përballjes me deficitin buxhetor për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe të rritjes së shpenzimeve ushtarake.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Shtator 26, 2016 23:27 Europe/Tirane
  • Arabia Saudite vazhdon të shtrëngojë rripin

Arabia Saudite ka publikuar masa të reja të kursimit duke ndalur disa shpërblime publike dhe duke shkurtuar pagat e ministrave në kuadër të përballjes me deficitin buxhetor për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe të rritjes së shpenzimeve ushtarake.

Televizioni shtetëror saudit Ekhbariya Tv, paraqiti pamje nga një takim i ministrave dhe princave ku i pranishëm ishte edhe mbreti Selman. Në këtë takim, njëri prej ministrave lexoi listën e masave të reja ekonomike. “Kabineti vendosi të ndalë dhe të anulojë disa shpërblime dhe përfitime financiare” deklaroi ky ministër. Më vonë, Ekhbarya Tv transmetoi një dekret mbretëror ku përveç ndaljes së bonuseve publike, bëhet fjalë edhe për shkurtimin 20% të pagave të ministrave dhe 15 % të pagave të anëtarëve të emëruar të Këshillit (Shoura). Arabia Saudite që ishte e njohur për shpenzimet e larta publike, është goditur nga rënia e çmimit të naftës dhe nga shpenzimet e mëdha të agresionit ushtarak kundër Jemenit fqinj. Regjimi Al Saud ka shpenzuar miliarda dollarë për blerjen e armëve nga aleatët e tij perëndimorë, të cilët e kanë ndihmuar mbretërinë saudite në fushatën ushtarake kundër fqinjit jugor. Agresioni i Riadit kundër Jemenit nuk ka mandat nga OKB dhe deri tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 10 mijë jemenasve. Edhe numri i madh i punëtorëve të huaj në Arabinë Saudite ka ndjerë pasojat e deficitit buxhetor të mbretërisë dhe një numër i madh i tyre nuk kanë marrë paga prej disa muajsh, ndërsa kompanitë saudite nuk kanë rrugë tjetër veç dëbimit të këtyre punëtorëve nga puna. Ambasada e Pakistanit në Riad, deklaroi sot se qindra shtetas pakistanezë që kanë pritur prej muajsh pagat nga një kompani ndërtimi e Arabisë Saudite, do të kthehen në Pakistan pa marrë asnjë rrogë. Abdul Shakur Sheikh, atasheu për çështjet sociale i Ambasadës pakistaneze në Riad, tha se 405 pakistanezë do të kthehen në Pakistan të mërkurën pa marrë asnjë pagë nga kompania e fuqishme saudite Oger. Ata janë pjesë e 6500 punëtorëve pakistanezë të ndërtimit që nuk janë paguar nga kompanitë saudite. Kompanitë saudite kanë një numër të madh punëtorësh kryesisht nga India dhe Filipinet, të cilët prej muajsh nuk kanë marrë pagat dhe jetojnë e punojnë në kushte çnjerëzore në mbretërinë vehabiste.