Vizita e zv/sekretarit të përgjithshëm të OKB në Jemen
Zv/sekretari i përgjithshëm i OKB, vizitoi Jemenin në një kohë kur ky vend përballet me një krizë të gjerë njerëzore.
Stefan O’Brein, zv/sekretari i përgjithshëm i OKB për çështjet humanitare ditën e dielë arriti për një vizitë në Jemen. Vizitën në Jemen, O’Brein e nisi me Sanan kryeqytetin e Jemenit. Zv/sekretari i përgjithshëm i OKB viziton Jemenin për tu njohur nga afër me zhvillimet dhe gjendjen në këtë vend. Më pas shkoi në provincën Hadida. Vlen të theksohet se Arabia Saudite në koalicion me disa vende të tjera arabe të rajonit dhe me përkrahjen e Amerikës, që nga 26 marsi i vitit 2015 ka filluar agresionin ushtarak kundër Jemenit për ta kthyer përsëri në pushtet presidentin jemenas të dorëhequr Mansur Hadi. Gjatë këtij agresioni ushtarak deri më tani, janë vrarë dhe plagosur me mijëra civilë jemenas mes tyre edhe gra, fëmijë dhe persona të moshuar. Vetëm një ditë përpara vizitës së zv/sekretarit të përgjithshëm të OKB në Jemen, qendra juridike Tanamie njoftoi se në 560 ditë të agresionit saudit kundër Jemenit janë vrarë rreth 10 mijë persona prej të cilëve 2400 janë fëmijë dhe 1700 të tjerë femra. Në sulmet e avionëve luftarakë të Arabisë Saudite janë plagosur mbi 18 mijë civilë prej të cilëve rreth 2200 janë fëmijë dhe 1806 të tjerë femra. Edhe pse vizita e Stefan O’Brein zhvillohet në kushtet kur jemeni përballet me katastrofë njerëzore, kjo vizitë mund të përdoret prej tij për të nxjerrë një raport të detajuar lidhur me pasojat e luftës 19 mujore në Jemen. Me gjithë vizitën e zv/sekretarit të përgjithshëm të OKB në Jemen, avionët e agresorit saudit kanë bombarduar rajonin Zaj'a në provincën Sa'de në veri të Jemenit dhe si pasojë e këtyre bombardimeve janë vrarë të paktën 4 civilë dhe janë plagosur disa të tjerë. Avionët luftarakë të regjimit Al Saud kanë bombarduar gjithashtu edhe rajonet Tha'ban dhe Mandabe në Bakum të provincës Sa'de si dhe zyrat e doganës në rajonin Harad në provincën Hixha në perëndim të Jemenit. Avionët luftarakë të Arabisë Saudite gjithashtu kanë bombarduar edhe rajonin Mushaxha në qytetin Sirvah në provincën Meareb në qendër të Jemenit. Agresorët saudit kanë sulmuar edhe rajonin Barkan në qytetin Razeh në provincën Sa'de ku si pasojë e këtyre sulmeve janë vrarë dy civilë jemenas dhe janë plagosur disa të tjerë. Duke pasur parasysh numrin e madh të viktimave gjatë agresionit të Arabisë Saudite në Jemen, Bashkësia Ndërkombëtare kërkon ngritjen e një komiteti hetimor për hetimin e krimeve të sauditëve në këtë vend. Arabia Saudite kohët e fundit i ka shpëtuar dërgimit të një komiteti hetimor mbi krimet që ajo ka kryer në Jemen mirëpo Riadi është detyruar të pranojë hetuesit e shkeljes së të drejtave të njeriut të varur nga OKB. Rezoluta e nxjerrë nga KS i OKB për këtë çështje ishte dështim i këtij këshilli përballë Arabisë Saudite e cila duhet të japë përgjigje për veprimet e saj. KS i OKB ka hequr dorë nga ndjekja e veprimeve të Arabisë Saudite në Jemen, edhe pse Riadi kritikohet dhe akuzohet për kryerjen e krimeve në Jemen që nga nisja e agresionit të marsit 2015 ndaj Jemenit.