ISIS merr përgjegjësinë për shpërthimin në kufirin Siri-Turqi
Grupi terrorist ISIS sot mori përgjegjësinë për sulmin terrroist në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë. Të paktën 29 persona, shumica e tyre rebelë, janë vrarë në një bombardim pranë kufirit të Sirisë me Turqinë.
Sulmi ndodhi gjatë ndryshimit të një roje në zonën Atmeh të kontrolluar nga rebelët. Nuk është ende e qartë nëse shpërthimi u krye për shkak të një kamikazi ose të një pajisjeje të komanduar. Një rrjet informativ raportoi se një valixhe e mbushur me eksplozivë ishte lënë në vendngjarje. Në mes të gushtit, 32 terroristë u vranë në një sulm vetëvrasës të marrë në autorësi nga ISIS në Atmeh, që përdorej për të udhëtuar nga Idlibi përmes Turqisë, për të luftuar kundër grupeve terroriste në pjesët veri-lindore të Sirisë. Zëvendës-kryeministri turk e quajti sulmin një krim kundër njerëzimit. Sipas raportimeve, mes viktimave janë edhe presidenti i këshillit të lartë gjyqësor të Aleppo-s, prokurori i saj i përgjithshëm dhe komandanti i një grupi rebel. Fraksioni rebel po merr pjesë në një ofensivë të drejtuar nga Turqia kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe luftëtarëve kurdë të vendosur përgjatë kufirit veri-lindor. Të ndihmuar nga aeroplanët luftarakë, tanket dhe artileria turke, rebelët ia kanë dalë të ri-marrin qytetin e Jarablus në gusht dhe tashmë po i drejtohen qytetit të Dabiq. Ankaraja ka deklaruar se shpreson të krijojë një zonë pranë kufirit të saj, ku do të kenë mundësi të rikthehen rreth 1.5 milionë refugjatë sirianë që strehohen në Turqi.