Mosuli do të udhëhiqet nga irakianët
Presidenti irakian deklaroi se qyteti Mosul, kryeqendër e provincës Ninva, në veri të Irakut, do të administrohet nga irakianët pas çlirimit nga terroristët.
Fuad Masum deklaroi se së shpejti Mosuli do të çlirohet dhe terroristët e ISIS do të dëbohen, ndërsa në administrimin e Mosulit do të kenë rol vetëm irakianët dhe asnjë palë e huaj. Nga ana tjetër, Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, ka konfirmuar edhe njëherë se operacioni për çlirimin e qytetit të Mosulit nga ekstremistët e Shtetit Islamik ka ecur me ritme mjaft të kënaqshme, duke kaluar madje edhe pritshmëritë që kishin ekspertët në lidhje me këtë ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake. Nëpërmjet një konference të mbajtur për mediat, kryeministri al-Abadi, vlerësoi arritjen e ushtrisë së tij, duke falenderuar ndër të tjera edhe mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar të luftës anti-ISIS që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara, por edhe militantët kurdë që po përparojnë nga lindja drejt qëndrës së qytetit. Gjatë orëve të fundit, forcave të armatosura u janë bashkuar edhe njësitë speciale anti-terror, të cilat do të jenë një plus për trupat që kanë luftuar deri më tani. Operacioni i nisur disa ditë më parë, është aksioni më i madh ushtarak i ndërmarrë nga Iraku, që prej ndërhyrjes së amerikanëve në vitin 2003.