ISIS bllokohet pas aksionit të forcave irakiane
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i33613-isis_bllokohet_pas_aksionit_të_forcave_irakiane
Operacioni i suksesshëm i forcave irakiane, ka bllokuar rëndë grupin terrorist ISIS në qytetin Mosul.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 01, 2016 15:36 Europe/Tirane
  • ISIS bllokohet pas aksionit të forcave irakiane

Operacioni i suksesshëm i forcave irakiane, ka bllokuar rëndë grupin terrorist ISIS në qytetin Mosul.

Operacioni për çlirimin e Mosulit ka nisur me urdhër të kryeministri irakian Hejdar Ebadi më datë 17 tetor 2016. I veshur me uniformë ushtarake, kryeministri irakian Hejdar Ebadi u shfaq në televizionin publik me një mesazh të drejtpërdrejtë për ISIS-in në Mosul. Dorëzohuni ose vdisni! Nuk keni zgjidhje tjetër, ishte apeli i tij drejtuar terroristëve të të vetëquajturit ISIS, që po vazhdojnë rezistencën ndaj ofensivës së ushtrisë irakiane dhe trupave kurde në qytetin e dytë më të madh të Irakut. Sipas raportimeve, perimetri është ngushtuar dhe forcat speciale të ushtrisë irakiane janë vetëm 1 kilometër në lindje të qendrës së qytetit, ndërsa në jug avancimi i ushtrisë ka qenë i qëndrueshëm. Ushtria irakiane në vazhdën e operacionit për çlirimin e qytetit Mosul, sot është futur në godinën e radiotelevizionit të qytetit Mosul, që mbahej i pushtuar nga terroristët e ISIS. Forcat irakiane kanë hyrë së fundmi në qytetin e Mosulit, por kanë hasur një rezistencë të fuqishme nga ana e terroristëve të ISIS. Mediat irakiane njoftojnë se, terroristët e ISIS po bëjnë përpjekje maksimale për të mos lejuar futjen e ushtarëve irakianë në brendësi të qytetit. Aktualisht ushtria po avancon në dy fronte, respektivisht nga pjesët lindore dhe jugore të qytetit. Ata po mbështeten nga Shtetet e Bashkuara përmes bombardimeve ajrore si dhe në terren nga grupimet me militantë kurdë. Më herët, kryeministri i Irakut Hejdar Ebadi, u bëri thirrje terroristëve që të dorëzohen, pasi siç tha ai në rast të kundërt ata i pret vdekja. Shqetësimi më i madh në këtë operacion delikat vijojnë të mbeten qytetarët, të cilët mund të përdoren si mburoja njerëzore nga terroristët e ISIS. Shumë banorë janë larguar nga zonat ku janë zhvilluar përleshjet e armatosura, por një pjesë e konsiderueshme nuk janë lejuar nga terroristët e ISIS. Të hënën trupat qeveritare morën nën kontroll disa fshatra në lindje, veri dhe jug të Mosulit, por mbetet ende e paqartë se kur do t’i jepet goditja finale rezistencën në qytet. Në operacion janë përfshirë 50 mijë trupa irakiane, luftëtarët kurdë Peshmerga, fiset arabe suni dhe ata shia. Besohet se në qytet janë ende 3 mijë deri në 5 mijë terroristë të ISIS dhe 1.5 milionë civilë dhe nga përshkallëzimi i luftimeve mijëra prej tyre kanë nisur të zhvendosen, ndërsa në skenarin më të keq, OKB parashikon 700 mijë të zhvendosur. Në operacionin për çlirimin e qytetit Mosul, deri tani janë vrarë 910 pjesëtarë të ISIS. Në një njoftim të ministrisë së mbrojtjes së Irakut thuhet se me qindra pjesëtarë të grupit terrorist takfirist ISIS, janë vrarë gjatë operacionit për çlirimin e qytetit Mosul. Që nga nisja e këtij operacioni e deri tani janë vrarë 910 anëtarë të ISIS, prej të cilëve 480 kanë shtetësi siriane. Forcat irakiane për çlirimin e qytetit Mosul në 2 javët e kaluara kanë neutralizuar dhe çaktivizuar 40 bomba, kanë shkatërruar 115 automjete dhe 170 bastione të ISIS dhe 18 tanke. Mosuli ra në duart e ISIS-it në vitin 2014.