Bashar Asad: Amerika po shfrytëzon terroristët në Siri
Presidenti i Sirisë ka thënë se perëndimi e posaçërisht Amerika, janë përgjegjës të dështimit të armëpushimit të fundit në Siri.
Bashar Asad, president i Sirisë, në një intervistë me gazetën serbe "Politika", përveçse ka kritikuar rolin negativ të boshtit perëndimor në krizën në Siri, ka theksuar se Amerika dhe vendet e tjera perëndimore po i përdorin terroristët si kartë për arritjen e qëllimeve të tyre. Asad ka thënë se Amerika interesohet për armëpushimin në Siri vetëm atëherë kur dobësohen terroristët dhe atëherë disa vende shfrytëzojnë armëpushimin për mbështetje logjistike dhe për dërgimin e armëve për grupet terroriste. Bashar Asad ka deklaruar se Rusia është serioze në luftën kundër terroristëve, mirëpo amerikanët nuk ndjekin një politikë serioze përballë terroristëve, por i përkrahin ata. Presidenti sirian ka thënë se Arabia Saudite, Katari dhe Turqia janë vetëm mjete të perëndimit dhe veprojnë në interes të Amerikës. Bashar Asad në lidhje me mundësinë e arritjes së një marrëveshje midis Moskës dhe Uashingtonit për Sirinë, ka thënë se përafërsisht kjo është e pamundur, sepse politikat ruse bazohen në vlera dhe përfitime dhe rusët respektojnë të drejtën ndërkombëtare, por amerikanët kanë për qëllim të përdorin terroristët si kartë të tyre.