Vazhdojnë fitoret e ushtrisë irakiane kundër terroristëve në Mosul
Forcat e ushtrisë irakiane në vazhdën e operacionit për çlirimin e Mosulit kanë marrë nën kontroll rrugën që lidh Mosulin me qytetin Tel Afar si dhe autostratën Mosul-Raka që ishte aksi kryesor i lëvizjeve dhe furnizimit të terroristëve të ISIS.
Forcat irakiane kanë hyrë në Mosulin e kontrolluar nga ISIS, për herë të parë në më shumë se dy vjet dhe po luftojnë terroristët e ISIS-it në vijën e frontit. Tashmë forcat speciale të ushtrisë irakiane ndodhen 4 km larg Fakultetit të Veterinarisë që është selia kryesore e terroristëve të ISIS në qytezën Hamam al Alil në lindje të Mosulit. Zëdhënësi i Ministrisë irakiane të Mbrojtjes, Tahsin Ibrahim ka thënë se njësitë e Divizionit të 9-të kanë hyrë në qytet të enjten, duke shtuar se trupat kishin sulmuar lagjen e Al Intisar në lindje. Depërtimi në kufirin lindor ka qenë përparimi më i rëndësishëm në ofensivën e filluar dy javë më parë për të liruar qytetin kyç të kontrolluar nga sundimi brutal i terroristëve. Zyrtarët irakianë kanë paralajmëruar se hyrja në Mosul ka të ngjarë të shkaktojë luftime të ashpra, dhe se beteja pritet të zhvillohen “rrugë për rrugë”, apo edhe “shtëpi më shtëpi”.