OKB e shqetësuar për fatin e fëmijëve irakianë
Të mitur të moshës 9-vjeçare po rekrutohen nga ISIS në Mosul për të luftuar e për t’u hedhur në erë në emër luftës së shenjtë.
Shumë herë gjatë dy viteve të fundit, videot e tyre të propagandës kanë shfaqur 12 e 13 vjeçare teksa lexojnë mesazhe urrejtje, e qëllojnë pengjet e gjunjëzuara. Kështu ishte diçka e pritshme që me intensifikimin e ofensivës për çlirimin e Mosulit, qyteti më i populluar dhe i rëndësishëm i kontrolluar nga ISIS në Irak, terroristët do të shfrytëzonin fëmijët ushtarë. Denoncimi erdhi nga OKB dhe konfirmohet nga dëshmitarë që jetojnë në zonë. Shumë prej të miturve arsimohen në shkolla fetare fundamentaliste, që kanë zënë vendin e shkollave shtetërore të mbyllura në qershor të 2014-s. Zëdhënësja e agjencisë se OKB-së për refugjatët, UNHCR-së ngre alarmin se në qytezën e Tal Afar militantet dilnin në rrugë me altoparlantë për të urdhëruar familjet të dorëzonin fëmijët e tyre të moshës 9 vjeç e sipër. Gjithashtu OKB dhe Amnisty International sinjalizojnë se ISIS po ekzekuton në publik tradhtarët e dyshuar dhe ish-policët e punonjësit e qeverisë irakiane që gjenden në burgun e qytetit.