Rusia dhe Kina vendosin veton kundër rezolutës së OKB për Alepon
Ditën e hënë Këshilli i Sigurimit të OKB ka vënë në votim një rezolutë të OKB për armëpushim 1-javor në Alepo të Sirisë.
Mirëpo kjo rezolutë është hedhur poshtë me të drejtën e vetos së përdorur nga Rusia dhe Kina. Vitali Çurkin, përfaqësues i Rusisë në OKB ka thënë se për vendosjen e armëpushimit në Alepo duhet të përcaktohet një grafik kohor për daljen e elementëve të armatosur nga ky qytet. Mirëpo në projektrezolutën e propozuar nga OKB nuk është parashikuar asnjë grafik kohor për largimin e personave të armatosur nga qyteti Alepo. Çurkin ka rikujtuar se armëpushimet e mëparshme të shpallura në Siri, terroristët i kanë përdorur për të forcuar pozitat dhe kapacitetin e tyre. Përfaqësuesi i Rusisë në OKB ka thënë se Moska nuk mund të pranojë një plan të tillë të OKB për qytetin Alepo dhe shtoi se miratimi i një plani me këto pika që ka, dëmton rëndë situatën humanitare në Alepo. Moska thotë se ushtria siriane ka marrë kontrollin e pjesës më të madhe të qytetit Alepo dhe armëpushimi në këtë fazë nuk ka asnjë kuptim. Për këtë sipas Rusisë, terroristët në Alepo ose duhet të largohen nga qyteti, ose duhet të presin vdekjen.