Damasku i gatshëm për rifillimin e negociatave siriane-siriane
Qeveria e Sirisë shprehu sot gatishmërinë për rifillimin e bisedimeve siriane-siriane për t’i dhënë fund krizës në këtë vend.
Ministria e jashtme e Sirisë duke reaguar ndaj deklaratës së Stefan Di Mistura, i dërguari special i OKB për Sirinë, publikoi një komunikatë ku shprehu gatishmërinë e qeverisë së Damaskut për rifillimin e negociatave mes palëve siriane pa ndërhyrjen e huaj dhe pa asnjë parakusht. Stefan Di Mistura pas takimit me dyer të mbyllura në KS të OKB, kërkoi rifillimin e negociatave për zgjidhjen e krizës në Siri. Ai shtoi se ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për rifillimin e bisedimeve politike për t’i dhënë fund krizës siriane. Nga ana tjetër, funksionarët rusë deklaruan se forcat e ushtrisë siriane kanë marrë nën kontroll 93% të pjesës lindore të Alepos dhe vetëm gjatë ditës së sotme janë vrarë qindra pjesëtarë të grupeve terroriste në lindje të Alepos. Gjithashtu, Ministria e jashtme e Rusisë bëri të ditur se gjatë tre ditëve të fundit, mbi 3000 civilë sirianë janë rikthyer në shtëpitë e tyre në Alepon lindor.