Vriten dhjetëra terroristë të ISIS në veri të Mosulit
Ushtria irakiane bëri të ditur se të paktën 60 pjesëtarë të ISIS janë vrarë sot në sulmet e ushtrisë irakiane në veri të Mosulit.
Ali Al Farixhi, një nga komandantët operativë të operacionit për çlirimin e provincës Ninva, deklaroi se forcat irakiane arritën të zmbrapsin një sulm të terroristëve të ISIS në pjesën veriore të Mosulit dhe shkatërruan disa autobomba të terroristëve. Sipas tij, në këto luftime janë vrarë mbi 60 terroristë dhe 117 të tjerë janë plagosur. Nga ana tjetër, mediat irakiane njoftuan se forcat e ushtrisë kanë zbuluar një depo armatimi të grupit terrorist ISIS ku ndodheshin mbi 100 mijë predha mortaje. Gjithashtu mësohet se terroristët e ISIS kanë detyruar qindra familje irakiane në Mosul të largohen nga shtëpitë e tyre dhe këto banesa po i përdorin si pozicione ushtarake për të ndalur ofensivën e forcave irakiane. Udai Al Khedran, një nga komandantët e forcave vullnetare të Irakut, bëri të ditur se gjatë vitit 2016, këto forca kanë shkatërruar 40 vendstrehime të terroristëve në katër rajone të provincës Dijale në lindje të Irakut.