Ushtria siriane rrethon aeroportin e qytetit Palmira
Sipas një njoftimi të agjencisë Al Alam ushtria siriane ka rrethuar aeroportin e qytetit Palmira dhe 33 fshatra të Alepos.
Ushtria siriane e mbështetur nga forcat vullnetare ka arritur të rrethojë aeroportin e qytetit Palmira dhe pasi ka vrarë me dhjetëra terroristë të ISIS, ka arritur të çlirojë këtë aeroport ushtarak me sipërfaqe 2 km katrorë. Forcat e ushtrisë siriane pas luftimeve të ashpra me terroristët e ISIS kanë arritur të marrin kontrollin e 33 fshatrave dhe rajoneve në periferinë lindore të Alepos. Njësitë e ushtrisë siriane po vazhdojnë avancimet e tyre përballë grupeve terroriste në Siri, ndërsa shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë siriane deklaroi se pas çlirimit të Palmirës, deri tani janë numëruar 283 kufoma të terroristëve të ISIS. Ushtria siriane me anë të një komunikate deklaroi se qyteti antik Palmira është çliruar plotësisht nga pushtimi i terroristëve të ISIS dhe terroristët janë larguar nga ky qytet dhe nga rrethinat e tij, duke lënë pas qindra të vrarë e të plagosur. Në komunikatën e ushtrisë siriane thuhet se rimarrja e Palmirës u realizua me përkrahjen e forcave ajrore të Rusisë dhe me ndihmën e aleatëve të ushtrisë siriane, ndërsa aktualisht njësitë speciale të ushtrisë siriane janë duke çaktivizuar bombat dhe minat e vendosura nga terroristët.