Ushtria e Jemenit paralajmëron Arabinë Saudite
Zëdhënësi i ushtrisë së Jemenit ka paralajmëruar Arabinë Saudite se nëse do të vazhdojë sulmet ajrore kundër porteve të këtij vendi, forcat e ushtrisë dhe të rezistencës popullore të Jemenit do të kryejnë operacione brenda në territorin e Arabisë Saudite.
Kanali televiziv Al Mejadin njoftoi se Aziz Rashid, zëdhënësi i ushtrisë së Jemenit, deklaroi se portet, bazat dhe aeroportet e Arabisë Saudite do të jenë objektiv i sulmeve raketore të ushtrisë dhe të forcave popullore të Jemenit. Aziz Rashid theksoi se goditja e Riadit tregon kapacitetin strategjik raketor të ushtrisë dhe të forcave të rezistencës popullore të Jemenit dhe këto forca mund të shtojnë kapacitetet e tyre raketore në fusha të ndryshme. Para kësaj burimet ushtarake të Jemenit kanë deklaruar se në përgjigje ndaj sulmeve dhe krimeve të sauditëve, në ditët e ardhshme do të fillojë një fazë e re i operacioneve të forcave të ushtrisë dhe të rezistencës popullore të Jemenit kundër Arabisë Saudite, e cila do t'i ndryshojë të gjitha planet. Vlen të theksohet se Arabia Saudite në koalicion me disa vende të tjera arabe të rajonit dhe me përkrahjen e Amerikës, që nga marsi i vitit 2015 ka filluar agresionin ushtarak kundër Jemenit për ta kthyer përsëri në pushtet presidentin jemenas të dorëhequr Mansur Hadi. Gjatë këtij agresioni ushtarak deri më tani, janë vrarë dhe plagosur me mijëra civilë jemenas mes tyre gra, fëmijë dhe persona të moshuar.