Shkatërrimi i një droni të Izraelit në Siri
Forcat kundërajrore të Sirisë kanë shkatërruar një dron të Izraelit i cili kishte shkelur hapësirën ajrore të Sirisë.
Faqja informative "Al-Ahd" njoftoi se forcat e mbrojtjes kundërajrore të ushtrisë së Sirisë këtë dronë izraelit e kanë shkatërruar në rajonin Kunejtra në jug të Sirisë, ndërsa autoritetet e regjimit sionist nuk janë deklaruar akoma në lidhje me këtë çështje. Para kësaj komanda e përgjithshme e ushtrisë dhe e forcave të armatosura të Sirisë me anë të një deklarate, ka theksuar se Siria është e vendosur për tu përballur me çfarëdo lloj agresioni të regjimit sionist kundër këtij vendi dhe në rast të përsëritjes së sulmeve të tilla, do të përgjigjet me të gjitha mjetet dhe forcat e saj. Vlen të theksohet se të premten e kaluar katër avionë luftarakë të regjimit sionist kanë shkelur hapësirën ajrore të Sirisë nëpërmjet territorit të Libanit dhe pasi kanë hyrë në Siri, kanë sulmuar një bazë ushtarake në rajonin Al-Barixh në provincën Homs të Sirisë. Sipas deklaratës së autoriteteve siriane, avionët luftarakë të Izraelit janë përballur menjëherë me reagimin e forcave të mbrojtjes kundërajrore të Sirisë dhe janë detyruar të largohen dhe gjatë largimit njëri prej këtyre avionëve është rrëzuar në territoret e pushtuara.