Kamikazi vret 43 civilë në Alepo
43 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, kur një shpërthim i fuqishëm bombe goditi disa autobusë që transportonin civilë nga dy fshatra të banuar nga shumica shiite në provincën veriperëndimore të Sirisë, Idlib, kur ata ishin duke pritur për të hyrë në qytetin e Alepo.
Shpërthimi goditi rajonin al-Rashidin në periferinë perëndimore të Alepos, rreth 355 kilometra në veri të kryeqytetit, Damask. Të paktën 43 persona u vranë dhe 48 të tjerë pësuan lëndime si pasojë e shperthimit, raportoi rrjeti televiziv me bazë në Liban Al-Mejadin. TV shtetëror sirian njoftoi se një sulmues kamikaz shpërtheu një autobombë pranë autobusëve që po kryenin evakuimin e banorëve të fshatrave Kefraja dhe al-Foua nën një marrëveshje të arritur mes qeverisë së Damaskut dhe grupeve militante opozitare. Në fund të marsit, qeveria siriane dhe grupet militante arritën një marrëveshje që parashikonte transferimin e 16.000 njerëzve nga Foua dhe Kefraya në këmbim të evakuimit të militantëve dhe familjeve të tyre nga al-Zabadani dhe Madaja, qytete në provincën jugperëndimore Rif Damask. Banorët e rajoneve Foua dhe Kefraja u ra dakord që të transferohen në periferi të Alepos, në Latakia ose Damask, ndërsa personat e armatosur dhe familjet e tyre do të largohen për Idlib.