Çlirohet një qytezë strategjike në veri të Sirisë
Në vazhdim të avancimeve të forcave siriane kundër pozicioneve të terroristëve, ushtria e Sirisë të hënën pasdite ka marrë në kontroll qytezën Al-Msasine dhe fshatin Zur Al-Hajse në veri të provincës Hamah.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se ushtria dhe forcat e armatosura të Sirisë në vazhdim të luftës kundër grupit terrorist Fronti Nusra dhe grupeve të tjera terroriste, ka çliruar qytezën Al-Msasine dhe fshatin Zur Al-Hajse në veri të provincës Hamah. Gjatë këtyre luftimeve të cilat janë zhvilluar me armë të ndryshme të lehta dhe të rënda, janë vrarë dhe plagosur me dhjetëra terroristë të armatosur. Ushtria e Sirisë dhe forca e rezistencës popullore në vazhdim të avancimeve në këtë rajon, kanë çliruar edhe disa zona të tjera. Ndërkohë, forcat demokratike kurde dhe arabe të Sirisë pas disa muajve rrethimi, për herë të parë kanë arritur të hyjnë në qytetin Al-Tabaka dhe kanë çliruar shumë zona në pjesën jugore të këtij qyteti. Qyteti Tabaka ndodhet 55 km në perëndim të qytetit Raka, qendrës më të rëndësishme të terroristëve të ISIS në Siri.