Netanjahu refuzon shefin e diplomacisë gjermane
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu anuloi bisedimet me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, pasi ky i fundit refuzoi kërkesën e kreut izraelit për të mos u takuar me grupet e aktivistëve të majtë, që kritikojnë trajtimin e palestinezëve nga Izraeli.
Berlini ka shtuar kritikat e tij për politikat kolonizuese të regjimit të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze. Netanjahu kishte paralajmëruar se nuk do të takohej me përfaqësuesin gjerman, nëse ky i fundit do të zhvillonte takimet e planifikuara me grupet “Thyerja e heshtjes” dhe “B’Tselem”, të cilat kritikojnë ndërtimin e kolonive sioniste në territoret palestineze dhe mbrojnë të drejtat e popullit palestinez. Netanjahu i ka akuzuar këto grupe se po përpiqen të dëmtojnë shtetin, ndërsa qeveria izraelite ka ndërmarrë hapa për të ndaluar financimet e tyre nga jashtë. Ekzekutivi izraelit i cilëson organizatat joqeveritare të majta, si armiqësore ndaj shtetit. Ministri i Jashtëm gjerman tha se anulimi i takimit nga Netanjahu ishte mjaft i habitshëm. “Imagjinoni sikur kryeministri izraelit të vijë në Gjermani dhe të kërkojë të takohet me njerëzit që kritikojnë qeverinë, por ne t’i themi se s’është e mundur. Kjo do të ishte e paimagjinueshme”, deklaroi Gabriel, i cili në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor u takua me kryeministrin palestinez, Rami Hamdallah. Grupi “Thyerja e heshtjes” është një organizatë ish-ushtarësh, që mbledh dëshmi anonime nga ushtria për abuzimet ndaj palestinezëve. “B’Tselem” është një prej organizatave kryesore në Izrael për të drejtat e njeriut, por që të dyja janë kritikuar nga qeveria se bëjnë akuza të pabaza dhe dëmtojnë shtetin izraelit.