115 jemenas kanë vdekur nga kolera
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) bëri të ditur se kolera ka marrë jetën e të paktën 115 personave në Jemen dhe ka lënë mijëra të tjerë të sëmurë, ndërsa spitalet luftojnë për të përballuar fluksin e madh të pacientëve në vendin e varfër arab të rrënuar nga konflikti.
Dominik Stillhart, drejtori i operacioneve të ICRC, të dielën në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Jemenit, Sana'a, tha se vdekjet nga kolera kanë ndodhur midis 27 prillit dhe 13 majit. "Tani po përballemi me një valë serioze të kolerës", tha Stillhart, duke cituar shifrat e përpiluara nga Ministria e Shëndetësisë e Jemenit. Mbi 8,500 raste të sëmundjes s kolerës janë raportuar në të njëjtën periudhë në 14 provinca të Jemenit, shtoi Stillhart. Stillhart tha se spitalet ishin mbushur përtej kapacitetit me pacientët që shfaqin simptoma të kolerës. "Ka deri në katër pacientë të prekur nga kolera në një shtrat të vetëm", tha drejtori i operacioneve të Komiteti Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Sherine Varkey, një përfaqësuese e UNICEF, tha: "Pra, situata e shpërthimit të vazhdueshëm të kolerës është jashtëzakonisht serioze. Unë qëndroj këtu në korridorin e spitalit Al Sabeen, që është spitali kryesor për kujdesin e nënës dhe fëmijës në të gjithë vendin dhe është tronditëse të shihet numri i pacientëve që janë dyndur nëpër dhomat dhe korridoret e spitalit. Hussein El Haddad, drejtori i spitalit Sabeen, tha: "Gjendja është shumë e keqe. Fëmijët që vuajnë nga kolera janë të panumërt dhe nuk ka shtretër të mjaftueshëm, njohuritë teknike [në spital] janë gjithashtu të pamjaftueshme për tu përballur me situatën”. Organizata Botërore e Shëndetësisë tani e klasifikon Jemenin si një nga emergjencat më të mëdha humanitare në botë. Vitin e kaluar, 130 jemenas humbën jetën për shkak të shpërthimit të kolerës dhe diarresë akute në Jemen.