Ministri izraelit: Ka ardhur koha të vrasim Asadin
Një ministër izraelit deklaroi se presidenti sirian Bashar Asad duhet të fajësohet për vuajtjet e Sirisë dhe duhet të vritet.
"Për mendimin tim, është koha për të vrarë Asadin," tha ministri i strehimit dhe ndërtimit i regjimit sionist, Yoav Galant, në një konferencë jashtë Jeruzalemit, duke shtuar se presidenti sirian "nuk ka vend në këtë botë". Ai akuzoi qeverinë në Damask për "ekzekutimin e njerëzve, duke përdorur sulme kimike kundër tyre dhe ekstremin e fundit, duke djegur kufomat e tyre". Vrasja e Asadit do të ishte hapi i parë në përballjen me përkrahësin e Sirisë, Iranin, shtoi ai. Komentet e Galant erdhën një ditë pasi Departamenti i Shtetit i SHBA deklaroi se qeveria e Asadit po përdorte një krematorium për të mbuluar vdekjen e mijëra të burgosurve në burgun ushtarak Sajadnaja pranë kryeqytetit Damask. Ministria e Jashtme e Sirisë kategorikisht e hodhi poshtë pretendimin amerikan duke e cilësuar si "një skenar i ri i Hollywood-it i shkëputur nga realiteti" dhe "krejtësisht i pabazuar". Regjimi i Tel Avivit sulmon rregullisht pozicionet e mbajtura nga forcat pro-Damaskut në Siri, duke pretenduar se sulmet janë hakmarrëse. Siria thotë se sulmet izraelite në Siri kanë për qëllim të ndihmojnë terroristët takfiristë, të cilët gjithnjë e më shumë po humbasin terren kundër ushtrisë së vendit arab. Ushtria siriane në disa raste ka konfiskuar armë dhe pajisje ushtarake izraelite nga terroristët që luftonin forcat qeveritare. Ka gjithashtu shumë raporte që konfirmojnë se Izraeli është duke u ofruar trajtim mjekësor ekstremistëve dhe terroristëve të plagosur në Siri. Muajin e kaluar, ish-ministri izraelit i luftës, Moshe Ya'alon, pranoi një aleancë të heshtur me ISIS-in, duke thënë se grupi terrorist kishte "kërkuar menjëherë falje" në Tel Aviv, pasi që kishte qëlluar "një herë" në Izrael. Shtatorin e kaluar, ligjvënësi izraelit Akram Hasson, akuzoi Tel Avivin për ndihmën e drejtpërdrejtë dhënë grupit terrorist Xhabhat Fateh al-Sham, i njohur më parë si Fronti Nusra, gjatë luftimeve në lartësitë e Golan.