Nga qershori 2014 në qershorin 2017
Forcat e përbashkëta irakiane vetëm 4 muaj pas nisjes së operacionit të madh për çlirimin e pjesës perëndimore të Mosulit nga zgjedha e ISIS, janë duke korrur fitoren përfundimtare.
Qyteti Mosul është pushtuar nga grupi terrorist ISIS në qershor të vitit 2014 dhe tani në qershor të vitit 2017 është çliruar pas ndërhyrjes së forcave të ushtrisë së Irakut në bashkëpunim me forcat vullnetare. Abdul’amir Rashid Jarallah, komandant i forcave për çlirimin e qytetit Mosul ka thënë se vetëm dy zona kontrollohen nga grupi terrorist ISIS. Me vazhdimin e luftimeve dhe me çlirimin e urës së pestë të Mosulit, ky qytet aktualisht ndodhet në prag të çlirimit të plotë. Ushtria dhe forcat e luftës kundër terrorizmit të Irakut të premten kanë marrë nën kontroll urën e pestë mbi lumin Tigër e cila lidh pjesën lindore me pjesën perëndimore të këtij qytetit. Forcat irakiane për reagim të shpejtë gjithashtu kanë rrethuar spitalin "Republika" në pjesën e vjetër të Mosulit dhe kanë arrestuar të paktën tre krerë të lartë të grupit terrorist ISIS. Oficer Sa'd Moin, zëdhënësi i operacioneve të Bagdadit, deklaroi se forcat e sigurisë së Irakut kanë arrestuar me dhjetëra pjesëtarë të grupit terrorist ISIS dhe sulmues kamikazë të këtij grupi të cilët duke kaluar 450 km, kishin arritur të hyjnë në Bagdad. Forcat irakiane aktualisht janë duke hequr edhe pengesat e fundit për të arritur deri te xhamia Nuri për të marrë nën kontroll rrugën Faruk në pjesën e vjetër të Mosulit. Grupi terrorist ISIS në krimin e tij më të fundit në Mosul, ka shpërthyer me lëndë eksplozive xhaminë Al-Nuri dhe minaren 800 vjeçare të kësaj xhamie. Ndërkohë, ISIS bën me faj forcat amerikane për shkatërrimin e këtij kompleksi, një pretendim që mohohet nga Shtetet e Bashkuara. Xhamia mëse 800-vjeçare ishte vendi ku lideri i ISIS Abu Bekr Baghdadi shpalli një kalifat në vitin 2014. Shkatërrimi i saj është dënuar gjerësisht, pasi xhamia konsiderohet një pasuri jo vetëm për qytetin e Mosulit, por për mbarë Irakun. Ky shpërthim ka ndodhur në kohën kur forcat irakiane kishin arritur 50 metra afër kësaj xhamie historike. Vetëm disa orë pas dhënies së raportit me dështimin e terroristëve të ISIS në pjesën e vjetër të Mosulit, kryeministrit Hejdar Ebadi deklaroi se nuk mbetet shumë deri në çlirimin e plotë të Mosulit nga ISIS, të cilit po i numërohen sekondat e fundit. Hejdar Ebadi tha se koha për shpalljen e çlirimit të plotë të Mosulit nga ISIS po afron dhe shtoi se forcat irakiane kanë vënë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit dhe vetëm një lagje e vogël ka mbetur akoma e pushtuar. Kryeministri Ebadi tha se duke u bazuar në operacionet e ashpra të ushtrisë kundër terroristëve të ISIS, populli irakian në pushimet e festës së Fiter Bajramit duhet të presin lajme të reja. Terroristët e ISIS në minutat e fundit të jetës së tyre mundohen të krijojnë sa më shumë dëme në njerëz dhe materiale. Hejdar Ebadi tha se operacioni për çlirimin e pjesës së vjetër të qytetit Mosul është në përfundim e sipër dhe terroristët e ISIS veprojnë vetëm në disa rrugica dhe shtëpi të caktuara.