Dekreti i Ajetollah Sistanit shpëtoi Irakun
Kryeministri irakian Heidar Abadi ka falënderuar klerikun e lartë shi’it të Irakut, Ajetollah Ali Sistanin, për kontributin e tij në luftën kundër terroristëve të ISIS, duke thënë se dekreti fetar i tij i vitit 2014, i cili mobilizoi forcat vullnetare pas trupave të ushtrisë irakiane në fushën e betejës, e "shpëtoi" Irakun.
Në qershor 2014, pak pasi ISIS nisi fushatën e tij terroriste në Irak, Ajetollah Sistani lëshoi një fatva duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Irakut për të mbrojtur vendin e tyre përballë terroristëve të ISIS. "Qytetarët që janë në gjendje të mbajnë armë dhe të luftojnë terroristët, duke mbrojtur vendin e tyre, popullin dhe vendet e tyre të shenjta, duhet të dalin vullnetarë dhe të bashkohen me forcat e sigurisë për të arritur këtë qëllim të shenjtë", thuhej në fatvanë e atëhershme të Ajetollah Sistanit. Kjo fatva u bë shkak që luftëtarët shi’itë, sunitë, kurdë si dhe vullnetarët e krishterë dhe Jezidi, të mblidhen nën kuadrin e Njësive të Mobilizimit Popullor (PMU), i njohur zakonisht si Hashd al-Sha'abi, për të parandaluar përparimet e ISIS. Në ditët e para të ofensivës së ISIS, forcat e qeverisë irakiane, të cilat u tronditën nga përparimet e rrufeshme të grupit terrorist, pësuan goditje të rënda në fushën e betejës. Megjithatë, luftëtarët e Hashd al-Sha'abi ndihmuan ushtrinë të rimarrë forcën dhe të arrijë superioritetin në luftën kundër militantëve të ISIS. Parlamenti irakian, vitin e kaluar e njohu Hashd al-Sha'abin si një forcë zyrtare me të drejta të ngjashme me ato të ushtrisë së rregullt. Në një deklaratë të lëshuar të premten, kryeministri irakian Heidar Abadi i prezantoi "falënderimin e thellë" Ajetollah Sistanit për "mbështetjen e tij të madhe dhe të vazhdueshme për luftëtarët heroikë". Ai gjithashtu theksoi se thirrja e liderit shi’it në vitin 2014 "e shpëtoi Irakun dhe hapi rrugën për fitoren" përballë ISIS-it.