Zbulohen fakte të shpërthimit të kolerës në Jemen
Ish-presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, ka thënë se Arabia Saudite është burim i shpërthimit të kolerës në Jemen.
Saleh ka deklaruar se koalicioni i udhëhequr nga sauditët qëndron pas përhapjes së sëmundjes ngjitëse përmes përdorimit të armëve të ndaluara ndërkombëtarisht. "Koalicioni po përdor armë shkatërruese, si bomba grumbulluese dhe termobarike, të cilat lënë efekte shumë të dëmshme për popullin e Jemenit", shtoi ai. Mjekët kanë filluar një hulumtim në terren për të zbuluar burimet e epidemisë së kolerës. Ajo që ata kanë gjetur e forcon idenë se Arabia Saudite ka filluar një luftë biologjike kundër Jemenit. Arabia Saudite ka bombarduar Jemenin që nga marsi i vitit 2015 në një orvatje për të rivendosur në pushtet pasardhësin e Saleh, Abd Rabe Mansur Hadi, një aleat i Rijadit. Kriza e Jemenit filloi pasi Hadi dha dorëheqjen si president dhe refuzoi të negociojë ndarjen e pushtetit me lëvizjen Huthi në Jemen. Për pjesën më të madhe të botës, kolera, një infeksion bakterial i përhapur nga uji i ndotur me feçe, ka ngelur vetëm në librat e historisë. Por lufta ka dëmtuar infrastrukturën e Jemenit dhe ka thelluar varfërinë, duke lejuar që sëmundja të kthehet në shkatërrimin e këtij vendi. Aktualisht, 21 nga 22 provincat e vendit janë goditur nga shpërthimi i kësaj sëmundjeje, që tani kërcënon të kalojë në vendet fqinje. Kolera është një sëmundje e rëndë diarre, e cila mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet siç duhet. Shpërthimi i kolerës në Jemen ka gjasa të rritet duke prekur më shumë se 300 mijë persona deri në shtator, tha sot një zyrtar e OKB-së. Sipas përfaqësueses së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) Meritxell Relano, në Jemen, deri tani, janë infektuar mbi 190 mijë persona. “Të paktën 1 265 persona kanë vdekur për shkak të shpërthimit të sëmundjes së kolerës , një e katërta e tyre ishin fëmijë. Numri i rasteve është në rritje”, tha ajo. Kolera, e cila shkakton diarre të rëndë dhe dehidrim, transmetohet përmes ujit të pijshëm të kontaminuar dhe mund të jetë fatale deri në 15 për qind të rasteve të patrajtuara. Agresioni mbi dyvjeçar i Arabisë Saudite kundër Jemenit ka shkatërruar sektorin shëndetësor të vendit, duke e bërë të vështirë për t'u marrë me epideminë. Mbi dy vjet luftë dhe konflikt kanë ulur aftësitë publike të Jemenit për kujdesin shëndetësor me 55 për qind. Të gjitha spitalet dhe klinikat operative tani janë të mbingarkuara nga epidemia për mungesë të medikamenteve , pajisjeve spitalore dhe stafit. Afërsisht 3.3 milion jemenas, duke përfshirë 2.1 milion fëmijë, aktualisht vuajnë nga kequshqyerja akute. Organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, thonë se agresioni saudit dhe embargoja ajrore, tokësore dhe detare që i është imponuar Jemenit nga agresorët, mund të jenë përgjegjëse për epideminë e kolerës.