Shpërthimi i kolerës në Jemen tejkalon 300,000 raste të dyshuara
Kryqi i Kuq thotë se numri i rasteve të dyshuara të kolerës në Jemen ka tejkaluar shifrën 300,000 mes frikës së një shpërthimi të sëmundjes dhe kërcënimit të urisë në vendin e goditur nga lufta.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) e bëri njoftimin të hënën, duke thënë se epidemia e kolerës "vazhdon të dalë jashtë kontrollit" që kur shpërtheu në muajin prill. "Sot, mbi 300,000 njerëz dyshohet të jenë të sëmurë, më shumë se 1,600 kanë vdekur", vuri në dukje institucioni me bazë në Gjenevë në një postim në Twitter. Kreu i operacioneve të Kryqit të Kuq për Lindjen e Mesme, Robert Mardini, tha se rreth 7,000 raste të reja të kolerës u regjistruan në baza ditore në kryeqytetin jemenas Sana dhe në tre zona të tjera.