Zbulohet një varr masiv në perëndim të Irakut
Një varr masiv që përmban 40 kufoma të ISIS është zbuluar në jug të qytetit Ramadi, qendër e provincës Anbar, në perëndim të Irakut.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, zyrtarët e sigurisë irakiane të premten kanë njoftuar se ky varr masiv i cili u zbulua në rajonin Al Tash në qytetin Ramadi, përmban kufoma të pjesëtarëve të ISIS të cilët në vitin 2015 janë ekzekutuar. Sipas një zyrtari të lartë irakian, dëshmitë tregojnë se këto trupa ishin pjesëtarë të ISIS të ekzekutuar nga vetë grupi terrorist ISIS, sepse një gjë e tillë vërehet nga forma e plagëve të marra. Pas tërheqjes së ISIS nga rajonet e pushtuara nga ky grup terrorist, shumica e varrezave masive janë gjetur në provincat Diale, Salahudin dhe Anbar. Vetëm vitin e kaluar janë gjetur mbi 50 varreza masive në Irak. Në qershor të vitit 2014 pas rënies së Mosulit në duart e ISIS, të paktën 700 studentë irakianë u masakruan në bazën ajrore Speicher. Më 11 dhe 12 janar të vitit 2014, terroristët e ISIS kishin pushtuar rajone të shumta në veri dhe në qendër të Irakut, duke përfshirë bazën Speicher në afërsi të Tikritit në provincën Salahudin, duke kryer vrasje masive, ku vetëm në këtë bazë janë vrarë 700 ushtarë irakianë. Gjykata penale e qendrës së Irakut dy vite më parë, ka nxjerrë dënim me vdekje për 40 persona të cilët kanë kryer vrasjen e shumë njerëzve në bazën Speicher.