Vazhdojnë fitoret e ushtrisë irakiane në Tel Afar
Forcat e ushtrisë irakiane, të mbështetur nga luftëtarët aleatë dhe nga Njësitë e Mobilizimit Popullor, kanë rifituar kontrollin e plotë mbi dy lagje të tjera në Tel Afar, ndërsa po përpiqen të dëbojnë terroristët e ISIS nga qyteti verior në një operacion të gjerë.
Komandanti i operacionit të çlirimit të qytetit Tel Afar, gjeneral-lejtnant Abdul Amir Jarallah, njoftoi në një deklaratë se forcat e policisë federale dhe luftëtarët nga Njësitë e Mobilizimit Popullor, të njohura zakonisht si Hashd al-Shaabi, kanë rimarrë pjesën veriore të rajonit Kifah në jug të qytetit, që ndodhet 63 kilometra në perëndim të Mosulit, duke u shkaktuar humbje të mëdha terroristëve të ISIS dhe duke shkatërruar pajisjet e tyre ushtarake. Forcat qeveritare dhe aleatët e tyre ngritën flamurin kombëtar të Irakut mbi disa ndërtesa në zonat e çliruara pas operacioneve. Ndërkohë, Komanda e Përbashkët e Operacioneve të Irakut deklaroi se pjesëtarët e Shërbimit Kundër-Terrorizmit kishin vendosur kontroll të plotë mbi fshatrat Mulla Xhasim dhe Vairan në periferi të Tel Afarit. Forcat e Divizionit të 9-të të Ushtrisë dhe Brigadat 2, 11 dhe 26 të Hashd al-Shaabit, kanë çliruar qarkun el-Tanak në lindje të Tel Afarit nga ekstremistët e ISIS. Komandanti i forcave speciale të Policisë së Irakut deklaroi se shumica e banorëve të qytetit Tel Afar janë larguar dhe ata që ndodhen në këtë qytet janë pjesëtarë të ISIS dhe përkrahës të këtij grupi terrorist.