Trupi i Xhalal Talabani arrin në rajonin e Kurdistanit për varrim
Qyteti kurd i Irakut Suleimanije po mban ceremoninë e varrimit të Xhalal Talabani, ish-president irakian dhe udhëheqës veteran kurd, ku po marrin pjesë personalitete të huaja politike.
Talabani të martën ndërroi jetë në Gjermani, në moshën 83 vjeçare. Udhëheqësi i ndjerë kurd, i cili u bë kryetar i Irakut në vitin 2005, është konsideruar si një figurë unifikuese në politikën kombëtare. Trupi i tij mbërriti të premten në aeroportin Suleimanije, ku personalitete të shumta ishin mbledhur për të respektuar presidentin e ndjerë të Irakut. Të shtëna ceremoniale me armë janë bërë pranë arkivolit të mbuluar me flamurin kurd. Një grup ushtarak gjithashtu këndoi himnin kombëtar të Irakut. Ceremonisë iu bashkua edhe presidenti i rajonit të Kurdistanit, Masud Barzani dhe kryeministri i këtij rajoni Nechirvan Barzani. Presidenti i Irakut Fuad Masum, ministri i brendshëm Kasem Al Araxhi dhe kryetari i parlamentit të Irakut, Salim Al Xhaburi, përfaqësuan Bagdadin në këtë ngjarje. Ndër personalitetet e huaja ishin ministri i jashtëm iranian, Mohamed Xhevad Zarif dhe përfaqësues nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe përfaqësues të shteteve dhe organizatave të tjera. Funerali shërbeu si një rast i zymtë mes zemërimit rajonal dhe ndërkombëtar mbi referendumin e fundit të kontestuar të pavarësisë së rajonit. Kurdistani mbajti votimin më 25 shtator, pavarësisht paralajmërimeve të konsiderueshme brenda dhe jashtë vendit.