Përgënjeshtrohet fillimi i operacionit ushtarak në Kirkuk
Komanda e Përbashkët Operative e ushtrisë irakiane mohoi fillimin e çdo operacioni ushtarak në jug të provincës Kirkuk.
Siç njofton rrjeti informativ Al Alam, Komanda e Përbashkët Operative e ushtrisë irakiane publikoi të premten një komunikatë ku vuri në dukje se asnjë operacion ushtarak nuk kishte filluar nga forcat irakiane në jug të Kirkukut në veri të Irakut. Agjencia e lajmeve Sputnik raportoi se kryeministri irakian Heidar Abadi urdhëroi që për një afat 48 orë, forcat e policisë federale irakiane të mos hynin në operacione ushtarake në Kirkuk. Ndërkohë, kanali televiziv kurd Rudaw citoi të premten zv/presidentin e rajonit të Kurdistanit, Kosrat Rasul, duke thënë se mijëra forca Peshmerga janë vendosur në Kirkuk "për t'u përballur me kërcënimet e mundshme nga forcat irakiane". "Dhjetëra mijëra kurdë Peshmerga dhe forcat e sigurisë tashmë janë të vendosur në Kirkuk dhe rrethinat e tij" tha Rasul. Dislokimi i forcave erdhi mes pretendimeve se qeveria irakiane kishte dërguar trupa për të rimarrë zonat e kontrolluara nga kurdët në krahinën e diskutueshme naftëmbajtëse, por Bagdadi i mohoi këto akuza. Bagdadi ka miratuar një sërë masash ndëshkuese kundër rajonit të Kurdistanit, i cili sfidoi thirrjet ndërkombëtare dhe më 25 shtator mbajti një referendum mbi ndarjen nga Iraku. Këto masa përfshijnë ndalimin e fluturimeve ndërkombëtare në rajonin verior dhe ndalimin e shitjeve të naftës së papërpunuar.