Nabih Berri: Dorëheqja e Haririt është e paligjshme
Kryetari i parlamentit libanez Nabih Berri e ka cilësuar të paligjshme dorëheqjen e kryeministrit Saad Hariri dhe ka njoftuar se qeveria e vendit do të vazhdojë të funksionojë pavarësisht dorëheqjes së Haririt.
Berri tha të mërkurën se ishte i mendimit se kapacitetet e qeverisë libaneze "nuk do të ndryshojnë" pas veprimit të çuditshëm të Haririt për të njoftuar dorëheqjen nga jashtë vendit. Kryeparlamentari libanez tha se njoftimi i dorëheqjes "në këtë formë" nuk ishte i mjaftueshëm për të çmontuar kabinetin. Dorëheqja e Haririt shkaktoi shock dhe befasi në Liban, ndërkohë që ndezi reagime të ndryshme në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në Perëndim. Presidenti libanez Michel Aoun ka thënë se ai është ende duke pritur që Hariri të kthehet dhe të dorëzojë dorëheqjen e tij. Sipas sistemit të ndarjes së pushtetit në Liban, kryeministri duhet të jetë një mysliman suni, presidenti duhet të zgjidhet nga të krishterët e vendit dhe roli i kryetarit të parlamentit duhet të shkojë tek myslimanët shi’itë.