Presidenti libanez: Hariri do të shkojë në Francë në fundjavë
Presidenti libanez Michel Aoun tha sot se kryeministri Saad Hariri do të mbërrijë në Francë gjatë fundjavës, pasi Libani ndodhet në prag të një krize politike pas njoftimit të dorëheqjes shokuese të tij në Arabinë Saudite më parë këtë muaj.
Aoun tha në një deklaratë se Hariri dhe familja e tij do të mbërrinin të shtunën në Francë, "ku do të pushojë pak ditë" përpara se të kthehet në Bejrut për të marrë "një vendim lidhur me dorëheqjen", raportoi të enjten agjencia shtetërore libaneze e lajmeve . "Po pres që pas kthimit të Haririt, të vendos për masën tjetër në lidhje me qeverinë", tha presidenti libanez gjatë një takimi me gazetarët. Aoun ka refuzuar të pranojë dorëheqjen e Haririt dhe akuzoi zyrtarët sauditë se e kanë mbajtur atë kundër vullnetit të tij. Presidenti libanez e denoncoi ashpër qëndrimin e zgjatur të Haririt në Arabinë Saudite të mërkurën, duke thënë se nuk kishte arsye që kryeministri libanez të mos kthehej në Liban.