Këshilltarja e Asad: Opozitarët të dorëzojnë armët
Këshilltarja politike dhe mediatike e presidentit sirian Bashar Asad u ka bërë thirrje grupeve të opozitës të çarmatosen, në mënyrë që një Kongres i Përbashkët Kombëtar i Dialogut që përfshin palët ndërluftuese të jetë i frytshëm dhe konstruktiv.
Në një intervistë të enjten me agjencinë e lajmeve Sputnik të Rusisë, Busaina Shaban shprehu gatishmërinë e Damaskut për të zhvilluar bisedime me ata që besojnë në një zgjidhje politike për konfliktin thuajse shtatëvjeçar në Siri. "Siria, që nga fillimi i krizës, ka miratuar një qasje konstruktive pragmatike duke besuar në angazhimin, dialogun politik dhe fatin e përbashkët për të gjithë përbërësit e popullit sirian", tha znj. Shaban. Megjithatë, gatishmëria ose aftësia e opozitës "për t'u angazhuar në një proces të vërtetë politik nuk është bërë ende e qartë", shtoi ajo. Gjithashtu, këshilltarja politike dhe mediatike e presidentit sirian theksoi se Damasku gjithnjë i beson Rusisë dhe Iranit, të cilët i kanë ofruar si "ndihmë të paçmueshme" Sirisë në betejën e saj kundër terrorizmit. "Ne besojmë se Rusia dhe Irani nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për t'i dhënë fund krizës në Siri. Ata kanë bashkëpunuar me ushtrinë siriane për të zhdukur terrorizmin dhe për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë", theksoi ajo.