Protesta në Kurdistanin irakian, digjen zyrat e partive politike kurdë
Mijëra protestues që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së rajonit gjysmë-autonom të Kurdistanit të Irakut kanë djegur zyrat e partive kryesore kurde dhe të shërbimeve të sigurisë.
Siç njofton agjencia irakiane e lajmeve al-Sumaria News, protestuesit e zemëruar të hënën u vunë zjarrin ndërtesave në zonën Piramagrun, e cila ndodhet 30 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit provincial Sulejmanie. Demonstruesit e zemëruar dogjën një ndërtesë që i përket Partisë Demokratike Kurde që është në pushtet. Ata gjithashtu u vunë zjarr zyrave të Bashkimit Patriotik të Kurdistanit (PUK), partnerit të koalicionit qeveritar, si dhe zyrave të dy partive të tjera rajonale. Një ndërtesë e shërbimeve të sigurisë u dogj gjithashtu nga protestuesit, ndërsa dhjetëra persona u plagosën gjatë protestave në rajonin e trazuar. Të paktën 3,000 protestues, të zemëruar nga vitet e kursimit dhe pagat e papaguara të sektorit publik, morën pjesë në protestën e së hënës. Mësuesit, punonjësit e spitaleve dhe punonjësit e tjerë të sektorit publik kërkuan pagat e tyre nga qeveria rajonale, ndërsa thanë se nuk ishin paguar për më shumë se tre vjet.